Ata që duan të “derdhin gjak” për flamurin te “Rrethi” fillojnë të dalin aty

Një faqe e krijuar mbrëmë në Facebook që bëri thirrje që të mbrohet flamuri kombëtar te Rrethi i Flamurit në Prishtinë është tërhequr sot
Por, kështu nuk kanë vepruar qytetarë të shumtë që e kanë ndjekur këtë faqe, të cilët kanë postuar fotografi “në pritje”.

Në një njoftim të ri të kësaj faqeje, mes tjerash thuhet:

“Nuk duam të krijojmë incidente të panevojshme. Dhe kërkojmë që të respektohet ligji në përpikëri dhe mos të provokohet nga askush më tutje kjo situatë, prandaj nuk do të qëndrojmë aty nga ora 08:00 siç kemi lajmëruar por ne rast se ka nevojë do të vendosim bashkë se a do mblidhemi më vonë.

Komuna e Qeveria kanë probleme shumë më të mëdha sesa mbulimi me flamuj gjithandej edhe atë me imponim. Flamujt vendosën me polici vetëm në shtete diktatoriale e shoviniste. Nëse duan le ta bëjnë. Munden.

Veç në një vend është i vendosur flamuri kombëtar, zonë që tashmë njihet si “Rrethi i Flamurit” dhe kjo po tentohet të mbulohet. Kështu po veprohet tash e sa kohë duke u tentuar të zhduket çdo gjë kombëtare për të shpikur diçka nga asgjëja. Luftë ndaj vetvetes, komplekse, inferioritet.

Flamuri i Kosovës nuk duhet promovuar si rival ndaj askujt mbase as karshi flamurit serb por karshi politikes serbe. Por fatkeqësisht me Serbinë nuk i ka punët keq Qeveria ajo edhe e mban këtë Qeveri. Flamuri kombëtar nuk është ai që duhet përulur për ta ngritur shtetin tonë, ai duhet respektuar sepse ai është historia e këtij shteti. Ai na shoqëroi vazhdimisht në çdo betejë historike, ai është flamur çlirimtar”.

Megjithatë, në komente në këtë postim janë shfaqur disa qytetarë të cilët kanë lajmëruar se janë “në pritje”.