Dy plumba për dhëndrin – 70 vjeçari shtiu me armë zjarri para gjykatës në Pejë

Gazeta Insajderi merr vesh se gjuajtja e sotme me armë zjarri para Gjykatës Themelore në Pejë ishte bërë ndaj dhëndrit për shkak të dhunës në familje. Krejt kjo kishte ndodhur në ditën kur ishte paraparë që mbahej seanca për këtë rast.

Kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata përmes një njoftimi për media.

“Gjykata Themelore në Pejë, njofton opinionin publik, se sot më datë 22.03.2018, në orën 14:30 në hyrje të kësaj gjykate, ka ndodhur një incident, më ç’ rast një qytetar (babai i palës se mbrojtur) ka gjuajtur më armë zjarri, në drejtim të palës tjetër (kryesit të dhunës në familje), duke shkrepur dy plumba”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Megjithatë, dhëndri i kishte shpëtuar më të keqes pas pjesëtarët e sigurimit të Gjykatës dhe policia kishin reaguar shpejt.

“Punëtorët  e sigurimit të gjykatës, së bashku me policët të cilët ndodheshin në objekt, kanë intervenuar menjëherë, dhe fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të lënduar”, thuhet më tej aty.

I dyshuari ishte arrestuar dhe konfiskuar arma.

“I dyshuari është arrestuar nga policia dhe është dërguar në mbajtje. Seanca gjyqësore lidhur më dhunën në familje ka qenë e caktuar për sot në orën 14:30”, njofton gjykata.

Këtë rast e kishte konfirmuar për Insajderin edhe zëdhënësi i policisë, Xhevat Ibraj.

“E konfirmoj si rast, por ende nuk e kemi kualifikuar si rast. Kjo ka ndodhur sot në orën 13:27 në rrugën ‘Adem Jashari’ para Gjykatës Themelore në Pejë. Një person i dyshimtë rreth moshës 70 vjeçare ka shtënë më armë zjarri në drejtim të viktimës. Mirëpo, për fat të reagimit të shpejtë dhe të menjëhershëm të policisë, nuk ka pasur as plagosje”, ka thënë zëdhënësi Ibraj për Insajderin.