Edhe sonte, ndotje alarmante e ajrit në Prishtinë

Qytetarët e Prishtinës sikurse çdo natë tjetër, edhe sonte po përballen me ndotje të lartë të ajrit.

Cilësia e ajrit në kryeqytetin kosovar ka arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara.

Bazuar në matjen e bërë nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në orën 18:00, vlera e ndotjes ka arritur në 350 dhe konsiderohet e shumë e pashëndetshme, përcjell Telegrafi.

Prishtina aktualisht është në vendin e parë në botë me ajrin e ndotur, duke lënë pas vetes edhe Indinë, Pakistanin, Bangladeshin e vende të tjera që  zakonisht i prijnë listës së vendeve me ajrin më të ndotur.

Kohëve të fundit është vlerësuar se cilësia e ajrit në Kosovë  është shumë larg kritereve të lejuara, duke kaluar kështu madje edhe në nivele shqetësuese për shëndetin e qytetarëve, veçanërisht grupeve më sensitive.

Edhe dita e djeshme ishte e njëjtë në këtë aspekt, ndërsa thuhet që shkaqet kryesore për ndotje janë përdorimi i qymyrit për ngrohje të shtëpive, por edhe termocentrali e veturat.

Kujtojmë se institucionet e vendit edhe pse janë në dijeni për këtë problem, situata çdo vit po vazhdon të jetë e njëjtë, dhe deri më tash asgjë nuk është ndërmarr për të përmirësuar këtë gjë.