Ja detajet e fundit nga Gjykata e Apelit për rastin e Sadri Ramabajës

I dyshuari për vrasjen e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, Sadri Ramabaja, vazhdon të mbetet të paraburgim. Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për ndërprerjen e kësaj mase.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi avokati i tij, Ramiz Krasniqi. Ai ka thënë se edhe ky refuzim është bërë sikurse herëve tjera, pa asnjë arsye.

“Aktvendimi i Gjykatës së Apelit me të cilin është refuzuar kërkesa e mbrojtësit për vazhdimin e paraburgimit është i njëjtë sikurse aktvendimet paraprake, pa asnjë të dhënë dhe pa asnjë element shtesë dhe pa asnjë arsye pse i vazhdohet paraburgimi, as pse refuzohet kërkesa e mbrojtësit”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.

Vazhdimin e paraburgimit ndaj Ramabajës, avokati Krasniqi e ka quajtur ndër rastet më absurde në Kosovë.

“Një nga vazhdimet më absurde që  ndodhin në gjyqësorin e Kosovës është kjo me Ramabajën. Nuk po e them këtë si mbrojtës i tij, por më të vërtetë është ashtu”, ka shtuar ai.

Sipas Krasniqit, i mbrojturi i tij akuzohet për dy vepra të rënda, për të cilat asnjëherë nuk është marrë në pyetje.

“Merre me mend, akuzohet për dy vepra shumë të rënda, kurse asnjëherë nuk është marrë në pyetje për ato vepra. Deri kur e kanë këtë qëllim nuk e di, por kjo shkakton pasiguri juridike”, ka përfunduar ai.

Për më tepër, Gazeta Insajderi kishte raportuar se anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja ishte arrestuar në Durrës nga Policia e Shqipërisë, pasi dyshohet të jetë zënë me dokumente të anëtarit tjetër të LVV-së, Xhevat Bislimi.

Ramabaja dyshohet se kishte tentuar t’i përdorte për vete dokumentet e anëtarit tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje.

Policia e Kosovës kishte marrë njoftim nga Policia e Shqipërisë për ndalimin e të dyshuarit për terrorizëm, Sadri Ramabaja.

Sadri Ramabaja dyshohet se është pjesë e grupit të dyshuar terroristë të Murat Jasharit i cili ka sulmuar me armë Azem Vllasin dhe ka pasur plan për vrasjen e liderëve politikë të Kosovës.

Murat Jashari është i dyshuari kryesor për tentim-vrasjen ndaj avokatit, Azem Vllasi dhe është në paraburgim me dy persona të tjerë.