Jakup Krasniqi ironizon me Thaçin: Me gatishmërinë për kompromis as të miqtë nuk shkohet

Jakup Krasniqi, Kryetari i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma Socialdemorkate ka ironizuar me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, dikur bashkë partiak.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka shkruar se “me gatishmërinë për kompromis as të miqtë nuk shkohet”, duke ju referuar deklaratës së presidentit Thaçi, ku ka thënë se me Serbinë do të ketë kompromise.

“Po të shikohen mediet tona, madje jo vetëm ato ka shumë lajme: se çka mendojnë e dëshirojnë politika e politikanë nga Beogradi për shqiptarët në përgjithësi e Kosovën në veçanti. Jo vetëm kjo, por edhe çka vuçiqër e daçiqër mund të pranojnë e çka nuk mund të pranojnë. Sikur kemi harruar se ata do të na dëshironin jetën nën tokë dhe do të kënaqeshin duke thënë: se “shqiptarët e mirë janë vetëm ata nën dhe”, shih për ketë janë kujdesur shumë dhe nga ai ves nuk ndahen kurrë”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka shkruar se natyrisht që Kosova është gati për dialog, kompromis, negociata, marrëveshje dhe normalizim të marrëdhineve.

“Po nuk është halli vetëm i medieve, por kur ky mentalitet shtrihet deri në majat e politikës shqiptare, kjo vërtetë është për shqetësim. Presidenti i vendit shpalos në Mbretërinë e Bashkuar gatishmërinë për kompromis para se të nisin bisedimet?! Për ketë mediet informuan: “Natyrisht se Kosova është gati për dialog, gati për kompromis, gati për negociata, gati për marrëveshjen historike për normalizim të marrëdhënieve dhe pajtim ndërshtetëror. Kjo është rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë që të lëvizin sa më shpejt drejt së ardhmes evropiane, përndryshe do të mbesim peng i njëra-tjetrës”, ka shtuar Thaçi. Me logjikën e kompromisit ne bisedime as te miqtë nuk shkohet. Tjetri e shfaqë dhe e shpërfaqë gatishmërinë për pajtim?! Ekziston një farë rendi se kush e kërkon dorën e pajtimit”, ka thënë Krasniqi.

Në fund Krasniqi ka shkruar se shefat e shtetit nuk duhet të flasin kështu dhe dikush duhet t’i këshillojë se cka duhet të thuhet e cka jo.

“A thua këta njerëz nuk i dinë kompromiset që i ka bërë Kosova dhe pjesë e të cilave kanë qenë edhe personalisht?”, ka përfunduar Krasniqi.