Serbia synon të rrisë eksportin në Kosovë, për një vit shet 450 milionë € euro mallra

Zëvendëskryeministri serb, Rasim Ljajiq, njëherit edhe ministër i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit, duke folur për gjetjen e një zgjidhje të përhershme mes Prishtinës dhe Beogradit ka deklaruar se shteti i tij kohë më parë ka paraqitur një plan trepikësh për dialogun, sipas të cilit do të përfitonin të dy palët.
Si pikë të parë, Ljajiq përmend ekonominë dhe heqjen e barrierave tregtare, transmeton lajmi.net.

“Ekonomia dhe eleminimi i barrierave tregtare. Ne në Kosovë eksportojmë të mira në vlerë prej 450 milionë eurosh. Mendoj që kjo mund të rritet edhe më shumë, dhe barrierat aktuale të hiqen tërësisht”, u shpreh Ljajiq.

Si pikë e dytë e planit të Serbisë, sipas Ljajiq ishte diskutimi i problemeve që lidhen me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, trashëgiminë kulturore dhe pronat e serbëve.

Ndërkaq si pikë të tretë, ai përmend diskutimin mbi anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përveç në OKB.

“Ky është qëndrimi jonë, le të flasim për këto anëtarësime, mirëpo gjithçka të arrihet edhe me konsensusin me Serbinë. Ne natyrisht se do të shohim se çfarë do të përfitojnë serbët e Kosovës nga kjo”, u shpreh Ljajiq.

Sipas tij, pas paraqitjes së këtij plani nga Serbia, do të duhej që të ekzistonte një periudhë implementimi prej pesë vjetësh që të shihej se si kjo do të funskiononte, dhe zgjidhja që nuk do duhej të ndodhte sipas tij është që kjo çështje të mbetet një konflikt i ngrirë.