Shpend Ahmetit i pëlqeu ideja e artistit për flamurin që simbolizon “offside”

Artisti Driton Selmani, sot e ka zëvendësuar flamurin kombëtar, i cili gjendet në rrethin kryesor në hyrje të Prishtinës, me një flamur që përdoret nga gjyqtarët në futboll për të sinjalizuar pozitën jashtë loje “offside”.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të kuptuar edhe arsyen e vendosjes së këtij flamuri, tha se i vjen mirë që për problemet në vend një artist e tha në këtë mënyrë.

“Flamuri do të kthehet, por më duhet të them që disi më vjen mirë që një gjë e tille është thënë edhe në këtë mënyrë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Postimi i plotë i Ahmetit:

“Sot në mëngjes më lajmëruan se flamuri kombëtar te rrethi është larguar nga persona të panjohur dhe është vendosur nje flamur tjetër i offside-it.

Pas daljes së inspekcionit në vend të ngjarjes është kuptuar edhe kompania e më vonë edhe qëllimi. Kjo ishte nje protestë artistike e artistit Driton Semani. Me vonë e gjeta edhe shpjegimin që po e bashkangjes këtu.

Flamuri do të kthehet, por më duhet të them që disi më vjen mirë që një gjë e tille është thënë edhe në këtë mënyrë. Mora dhjetëra mesazhe nga njerëz të ndryshëm, të shqetësuar të cilët tani do ta dëgjojnë një qendrim të një artisti.

Offside!!!” (sic.), ka shkruar Ahmeti.

Kurse artisti, Driton Selmani, ka thënë se të shtunën, më 27 janar 2018, flamuri kombëtar shqiptar i vendosur në vendin e quajtur “Te Rrethi” në hyrje të Prishtinës u zëvendësua me flamurin i cili përdoret në futboll për simbolizimin e ‘pozitës jashtë loje’ ose ‘ofsajd’.

“Rreth flamujve njerëzit dhe shoqëritë formësojnë identitete. Ata krijojnë ndjenjën e përbashkësisë, ndërtojnë shpresën dhe optimizmin, ndjenjën e krenarisë, krijojnë rrëfime dhe ju besojnë atyre. Kështu ka qenë gjithmonë; mund të hamendësojmë se kështu edhe do të vazhdojë”, ka shkruar ai.

“Red Tape është reflektim mbi mënyrën e përdorimit të flamujve si mjete për të prekur nervat kulturore, politike dhe sociale. Ajo nuk ofron mendim apo thirrje për veprim; thjeshtë reflekton çfarë po ndodh në realitetin përreth”, thuhet në njoftim.

“Jo në çdo situatë flamujt ngriten për të shënuar fitore, triumf, ose arritje. Ata ngriten edhe për të shënuar dorëzim, humbje beteje ose pranim të fitores së tjetrit përballë individit ose shoqërisë. Flamujt shpesh bëhen edhe sinonime të humbjes së krenarisë, të besimit e optimizmit.

Sot në botë me vështirësi numërohen vende e popuj që nuk kanë përjetuar një gjendje të tillë dorëzimi.

Red Tape është në kërkim konstant të imazhit të së vërtetës, ku krenaria dhe optimizmi duket se mbyten në rrymat e “lojës”.

Si rezultat, flamuri vë në pikëpyetje realitetin rrethues dhe përshkruan më së miri situatën politike, ekonomike dhe sociale: është flamur i dëshpërimit, ndjenjës përjashtuese dhe mungesës së krenarisë për shtetin, institucionet dhe simbolet e tij”, thuhet në njoftimin e “Red Tape”.